Civilët e vrarë mbesin rrugëve të Mariupolit

Pamje të tmerrshme me rrugë të mbushura me civilë të vrarë janë shfaqur sot në media nga qyteti i Mariupolit. Rusia thotë se ka marrë edhe kontrollin e fabrikës së çelikut, por ushtria ukrainase ka publikuar pamje të luftës guerile me forcat ruse.

Marketing

Banorët e kanë dëshmuar tmerrin e përjetuar Rusia thotë se ka fituar betejën me luftëtarët ukrainas në fabrikën e çelikut në Mariupol.

Kryengritësit prorusë të Donbasit kanë thënë se tashmë kanë marrë kontrollin e fabrikës.

Shumë trupa të pajetë kanë mbetur përtokë nëpër rrugët, makinat dhe kamionët e djegur të qytetit.

Dëshmitë e tmerrit

“Shumë banorë kanë vdekur. Sigurisht se vdiq një grua e re rreth të tridhjetave. Atë e vranë bashkë me fëmijën e saj para syve të miqve të mi. Me një fëmijë të vogël”, ka thënë Irina Korolyova, banore e Mariupolit.

Në një deklaratë për AP-në një ish-punëtor i fabrikës ka thënë se ka parë shumë civilë të vrarë.

“Askush nuk ka guxuar të ecte këndej deri para tri-katër orësh, sepse ishte rrezik i madh për këdo që guxonte të dilte jashtë”, ka thënë Oleg Kirpichyrov, banor i Mariupolit.

Ukraina i ka hedhur poshtë deklarimet ruse për rënien e Mariupolit. Njësia e Forcave Speciale të Gardës Kombëtare të Ukrainës “Azov” publikoi këtë xhirim me dron, ku tregohen luftimet në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Një deklaratë e postuar në faqen Telegram të “Azovit” thuhet se luftëtarët e saj nisën një kundërsulm në qytetin port jugor, i cili për javë të tëra është kthyer në pikën më të nxehtë të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Banorët e ngujuar thonë se mezi po sigurojnë ushqim e ujë të pijshëm.

Një ndërtesë në distriktin e bregut të djathtë të qytetit port, ku strehoheshin familjet që lanë territoret e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore, u dëmtua aq shumë saqë banorët u detyruan të iknin përsëri.

Banorja lokale, Ana, foli për fqinjët e saj, të cilët tha se ishin nga rajoni i Luhanskut.

“Pra, ata erdhën këtu nga rajoni i Luhanskut. Dhe ata – mirë, nga ajo që më tha – ata e morën një apartament këtu në qytet. Me sa duket, ata ua jepnin mjekëve, mësuesve. Dhe kështu, ata e morën. Unë e pyeta, ‘Andriusha, ku do të shkosh?’ Dhe ai më tha: “Fëmijët e mi janë më të rëndësishëm se e gjithë kjo’”, ka treguar Ana.

Image
Zmbrapsja ruse

Rusia e ka nisur tashmë ofensivën e pritur në shkallë të plotë për të marrë kontrollin e lindjes së Ukrainës. Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar ofensivën si terror masiv.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se Rusia ka shtuar artilerinë, forcat luftarake tokësore dhe kapacitetet e tjera në lindje të Ukrainës.

Ukraina ka marrë avionë shtesë luftarakë nga vende të tjera, duke mos përfshirë SHBA-në, si dhe pjesë shtesë avionësh për t’i lejuar ata të marrin më shumë avionë, ka theksuar Kirby.

“Unë thjesht do të thosha, pa hyrë në atë që ofrojnë vendet e tjera, se ata kanë marrë platforma dhe pjesë shtesë për të qenë në gjendje të rritin madhësinë e flotës së tyre, madhësinë e flotës së tyre të avionëve. Mendoj se do ta lija me kaq”, shtoi ai.

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur “përparime të shumta në tentativë” nga forcat ruse në vijën e kontrollit të Donbasit ndërsa bombardimet dhe sulmet e Moskës në zonë “vazhdojnë të rriten”, tregojnë të dhënat e fundit e inteligjencës britanike të mbrojtjes.

“Aftësia e Rusisë për të përparuar vazhdon të ndikohet nga sfidat mjedisore, logjistike dhe teknike që i kanë përfshirë deri më tani, të kombinuara me qëndrueshmërinë e forcave të armatosura të Ukrainës shumë të motivuara”, shkroi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në Twitter.

Forcat ruse nuk kanë qenë në gjendje të “shfuqizojnë rezistencën” në Mariupol, pavarësisht nga disa sulme “pa dallim”, që është “tregues i dështimit të tyre për të arritur qëllimet e tyre aq shpejt sa do të dëshironin”, shtohet aty.