Çka do të ndodhë nëse dështon formimi i koalicionit?

Dështimi eventual i negociatave ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës, do të sillte në tavolinë të gjitha opsionet tjera rezervë, përfshirë edhe zgjedhjet e reja apo qeverinë teknike, thonë analistët politikë.

Marketing

Mandatarit aktual për formimin e qeverisë, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, i ka mbetur më pak se një javë, afat kushtetues, që të arrijë marrëveshjen dhe formojë qeverinë. Në rast se ai dështon, fillon rrjedhja e afatit të dytë kushtetues prej 10 ditëve, për të cilin analistët shprehin mendime të ndryshme nëse sërish do t’i takonte e drejta Vetëvendosjes për të propozuar mandatarin, apo kjo e drejtë do t’i kalonte një partie apo koalicioni tjetër që siguron shumicën parlamentare në kuvend. Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë ngecur në pika të ngurta të cilat po shfaqin më shumë mungesë mosbesimi te njëra- tjetra sesa realisht në ndarjen e posteve. Ai konsideron se situata aktuale mund të çojë në dy drejtime apo dy opsione. “Versioni i parë është që mandatari i dytë të provohet nga dikush tjetër, pra që të formohet një qeveri, një shumicë tjetër parlamentare, të cilën sigurisht që presidenti i shtetit do ta kërkojë, nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon ta krijojë shumicën parlamentare. Dhe versioni tjetër është me shumë gjasë një qeveri e përkohshme teknike deri në vjeshtë, që të krijohen kushtet për funksionim normal të institucioneve dhe pastaj zgjedhjet e reja në vjeshtë”, tha Rashiti. Aktualisht, Vetëvendosje dhe LDK, të paktën sipas deklaratave publike, kanë kumtuar se nuk janë pajtuar rreth ndarjes së pushtetit. Përderisa Vetëvendosjes si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit më 26 dhjetor. LDK e kërkon pozitën e kryetarit të kuvendit deri në ditën e zgjedhjes së presidentit të ri, duke i kërkuar Vetëvendosjes që ta përkrahë kandidatin e saj për president. Me zgjedhjen e presidentit, LDK ka shprehur gatishmërinë që t’ia kthejë Vetëvendosjes postin e kryetarit të kuvendit. Një formulë e tillë, deri më tani është hedhur poshtë nga Vetëvendosje. Naim Rashiti thotë se nëse Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja, atëherë partia apo partitë që do të negocionin për formimin e qeverisë dhe ndarjen e pushtetit, do të mund të flisnin edhe për pozitën e presidentit të ardhshëm, pasi që zgjedhja e presidentit të ri, pritet diku në pranverën e vitit 2021.

Ndërkaq, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se në rast se bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së dështojnë, të gjitha veprimet duhet të merren konform Kushtetutës së Kosovës. “Në bazë të Kushtetutës e dimë se duhet t’i jepet edhe një herë mundësia fituesit të zgjedhjeve, por me një mandatar tjetër dhe nëse dështon edhe atëherë, presidenti mbetet që të përdorë diskrecionin e tij, i cili mbase mund të përkthehet si mundësi për grupin tjetër më të madh parlamentar, që i bie të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Mushkolaj. Sipas tij, nëse Vetëvendosje dhe LDK-ja janë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicione me ndonjë parti tjetër, atëherë kjo nënkupton që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. “Zgjidhje mbetet organizimi i zgjedhjeve të reja nëse nuk shfaqet në ndërkohë ndonjë opsion tjetër, në kuptimin që mund të ketë edhe presion ndërkombëtar për shkak të afateve, të themi paraprakisht të përcaktuara, sidomos për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Pra, që të krijohet një qeveri e cila do të mund të kishte bazë më të gjerë dhe do të kishte qëllim kryesor përfundimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, tha Mushkolaj. Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit. Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit. Për disa javë me radhë Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë vazhduar takimet, por ato nuk kanë sjellë si rezultat ndonjë marrëveshje koalicioni.Nëse marrëveshja nuk arrihet ditët në vijim, në fillim të javës së ardhshme, më 3 shkurt, mandatari Kurti pritet të deklarohet nëse negociatat kanë sjellë ndonjë marrëveshje apo kanë dështuar përfundimisht. Aktualisht, Kosova qeveriset nga qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, por e cila ka kompetenca të kufizuara.