Çmimet në treg, para zbatimit të masës, produktet shtrenjtohen

Çmimet e artikujve ushqimor kanë arritur majat. Përderisa pritet që edhe në mënyrë praktike të futet në zbatim masa e Qeverisë për ngrirje të marzhës për 73 produkte, qytetarët ndjehen skeptik se kjo masë do të përmirësojë standardin e tyre jetësor. TVM2 doli në terren për të parë gjendjen aktuale me çmimet, kurse vërehej rritje e çmimeve të produkteve, sidomos të pemëve dhe perimeve.

Marketing

“Qeveria ose le t’i ulë çmimet ose t’i rrisë rrogat. Të gjitha produktet, ja sallatat 80 denarë, 100 denarë, p.sh. turshitë çdokush nuk mund t’i marrë, shumë vështirë, me sakrifica.”, – tha një qytetar.

“Shumë të mira çmimet, vetëm a ke lekë.”, – tha një qytetar tjetër.

“Me 12 mijë denarë ç’të bej unë!? Rrymën, ujin i paguaj, nuk më mbesin asgjë, nuk mbërrij të marr as domate, speca, ndërsa duhet patjetër për t’i marrë.”, – u shpreh një qytetar.

“Të njëjtat çmime i kemi, asgjë nuk kemi ulë. Gjiza është 160 denarë, kaçkavalli 500-550 denarë, djathi 370 denarë. Dobët është shitja.”, – tha një tregtar.

“Çmimet sikur kanë qenë para një viti. Orizi është 120 denarë, sikur viteve të kaluara. S’kemi shitje.”, – tha një tregtar tjetër.

“Majdanozi – 20 denarë, specat, 100 denarë. Edhe kemi edhe s’kemi shitje, jo si më parë.”, – u shpreh një tregtar.

Kufizimi i marzhës në 10 për qind nga ana e Qeverisë pritet të ulë shpenzimet në shportën e konsumatorit për kategorinë ushqim dhe pije për 10 për qind. Masa pritet të vlejë deri më 31 tetor.

Enti shtetëror i statistikës ka konstatuar se çmimet për këtë kategori nga viti 2023 krahasuar me vitin 2024 janë rritur për 4 për qind. Qeveria paralajmëroi se do të ketë edhe masa tjera në periudhën në vijim.

Marketing