Çmimi i arit në Kosovë rëndom varet nga lëvizjet në bursat ndërkombëtare.
E lëvizjet e shumta në tregjet ndërkombëtare të arit përgjatë dy viteve të fundit, kanë bërë që edhe në Kosovë çmimi i arit të rritet në përmasa të larta.
Aktualisht, çmimi i një gram ari nëpër disa prej artarive në kryeqytet, sillet nga 50 deri në 55 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, çmimi i një kilogrami të arit tani sillet deri 55 mijë euro, nga 51 mijë sa ishte më 2021, e 47 mijë sa ishte në vitin 2020.
Sipas artarëve në kryeqytet, para pandemisë çmimi i arit ishte për 10 euro më lirë për gram, ndërsa tani një gram po kushton prej 50 e deri në 55-56 euro.
Edhe në bursat ndërkombëtare, për momentin një gram ari është duke u tregtuar me 55 deri në 56 euro.
Në bursën ndërkombëtare “Goldprice”, çmimi i një kilogram ari tani po tregtohet me një çmim prej 55 mijë e 942 eurove.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, edhe interesimi i Kosovës për import të kësaj lënde, është rritur shumë gjatë vitit 2021.
Vetëm nga janari deri në muajin gusht të 2021-s, janë importuar mbi 72 kilogramë ari, derisa në vitin 2020, totali i importeve të arit ishte vetëm 33 kilogramë.
Kurse në vitin 2019 ishin importuar 45 kilogramë ari, më 2018- 56 kilogramë dhe më 2017- 44 kilogramë ar.
Kujtojmë gjithashtu se Kosova është vendi i vetëm në rajon, e cila nuk ka rezerva natyrore të arit.