Lojërat Olimpike 2020 të planifikuara të mbahen në Tokio, mund të zhvillohen në disa qytete të ndryshme të Evropës.
Coronavirusi po përhapet me shpejtësi të madhe në gjithë botën, kurse pjesa më e prekur është Azia, vendi edhe ku nisi përhapja e këtij virusi.
Duke pasur parasysh këtë fakt, Tokio është një vend mjaft i rrezikuar nga virusi Covid-19, duke bërë që edhe Lojërat Olimpike të vihen në pikëpyetje disa herë.
Edhe pse ministri i shëndetësisë së Japonisë ka thënë se nuk ka arsye dhe nuk planifikohet që të shtyhen ose anulohen Lojërat Olimpike, ka disa sportistë që janë të frikësuar dhe besojnë se Olimpiada duhet të zhvillohet në disa qytete të ndryshme.
Carl Dohmann, garues gjerman i ecjes së shpejtë, ka dhënë një propozim interesant për zhvillimin e Lojërave Olimpike, gjatë disa fjalëve të tij pë ‘Der Spiegel’, transmeton lajmi.net.
Dohmann beson se Olimpiada mund të zhvillohet në qytete të ndryshme, si për shembull: Tenisi në Londër, garat e notit në Budapest, Xhudo në Paris.
Anulimi i Lojërave Olimpike – Tokio 2020, do të ishte një katastrofë jo vetëm për organizatorët e kompeticionit që kanë shpenzuar mbi 20 miliardë euro për infrastrukturën, por edhe për sportistët që kanë punuar fortë gjatë katër viteve për të marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm në karrierën e tyre, e që e kanë ëndërruar me vite të tëra.
Lojërat Olimpike – Tokyo 2020 planifikohet të fillojnë më 24 korrik dhe të zgjasin deri më 9 gusht.