Hungaria është vendi i parë në Bashkimin Evropian që i jep miratimin paraprak vaksinës ruse kundër COVID-19, Sputnik V.
Të enjten, shefi i kabinetit të Kryeministrit, Viktor Orban, konfirmoi se vaksinës ruse dhe AstraZenecës i ishte dhënë drita jeshile nga autoritetet shëndetësore vendase për përdorim, raporton BBC.
Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto po udhëton në Moskë për bisedime të mëtejshme, ku pritet të diskutojë një marrëveshje dërgesash dhe shpërndarjeje.
Rezultatet e hershme nga provat e vaksinës Sputnik kanë treguar rezultate premtuese.
Sipas BBC, zyrtarët shëndetësorë hungarezë ndodhen në Pekin për bisedime me autoritetet kineze mbi aprovimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të një milion dozave të vaksinës Sinopharm, e cila tashmë po përdoret në Serbi.
Kryeministri i Hungarisë ka thënë se mënyra e vetme për të vaksinuar qytetarët duke pasur parasysh shpërndarjen e ngadaltë të vaksinës Pfizer-BioNTech, është përmes blerjes së vaksinës ruse dhe kineze.
Në Hungari deri tani janë vaksinuar të paktën 140,000 qytetarë.