COVID-19, mbi 70 mijë të vdekur në shkallë globale

Kryeministri britanik Boris Johnson, i cili rezultoi pozitiv për koronavirus javën e kaluar, është në spital pasi u shtrua gjatë fundjavës me temperaturë të lartë.

Marketing

Zyra e tij tha se shtrimi në spital ishte thjesht një masë garancie, dhe se kryeministri vazhdon të jetë në krye të funksionimit të qeverisë.

Britania është shndërruar në një ndër vatrat shqetësuese të epidemisë. Vetëm të dielën u konfirmuan mbi 600 vdekje nga sëmundja.

Në zona të tjera të Evropës së fundmi vërehet përmirësim pas shtimit të ritmit të infektimeve dhe vdekjeve për javë të tëra.

Italia, e cila vazhdon të kryesojë në shkallë globale për nga numri i të vdekurve, njoftoi rritjen më të ulët të numrit të viktimave në disa javë, ndërsa Spanja njoftoi se vazhdon të zbutet ngjija e kurbës së infeksioneve të reja dhe vdekjeve.

Në Shtetet e Bashkuara, shtetet e Oregonit dhe Uashingtonit në zonën perëndimore thane se do të dërgojnë aspiratorë në zona të tjera të vendit, si në Nju Jork ku ka nevoja akute.

Rreth 1 e treta e mbi 9600 viktimave nga COVID-19 janë në qytetin e Nju Jorkut, ku janë ngritur spitale fushore nga ushtria për të zbutur presionin mbi sistemin spitalor të qytetit.

Epidemia po shfaq zona të reja shqetësuese si në Pensilvani, Kolorado dhe në kryeqytetin e vendit, Uashington ku numërohen mbi 1000 raste.

Koreja e Jugut, një nga vendet e para të prekura nga epidemia njoftoi të hënën vetëm 47 raste të reja me COVID-19, por zëvendës ministri i shëndetësisë paralajmëroi se masat dhe kujdesi duhet të vazhdojnë, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar “një shpërthim” të infeksionit.

Japonia ka regjistruar deri tani 3600 raste, por po shtohet shqetësimi për disa pjesë të vendit, përfshirë Tokion, ku shifrat po shtohen me shpejtësi.

Ka edhe vende që shprehin optimizëm. Zyrtarët në Austri njoftuan të hënën se po peshojnë mundësinë e heqjes së pjesshme të masave të izolimit social dhe të lejojnë hapjen e dyqaneve të vogla javën e ardhshme dhe hapjen e përgjithshme të aktivitetit më 1 maj. Austria ka konfirmuar një total prej 12 mijë rastesh.

Ndërkaq, Kombet e Bashkuara kanë dhënë alarmin për efekte shqetësuese anësore të masave të ndalim-qarkullimit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres po u bën thirrje qeverive të mbrojnë gratë, pasi është vërejtur një rritje alarmuese e dhunës në familje në këtë periudhë.