Komisioni për sëmundje infektive sot konstatoi se periudha e karantinimit duhet të shkurtohet në 10 ditë, për pacientët asimptomatik të cilët janë diagnostikuar pozitiv me CoVdi-19. Anëtarët e këtij komisioni propozuan njëzëri që kjo kategori e pacientëve për katër ditë më herët të dalin nga izolimi pa pasur nevojë të testimit, me vlerësimin se më nuk përbëjnë rrezik për përhapje të CoVid-19.
Komisioni për sëmundje infektive
“Në bazë të raportit epidemiologjik të pacientëve, të cilët nuk shfaqin simptoma të dukshme të virusit korona, do t’u hiqet vendimi i izolimit apo vetë izolimit që në ditën e 10-të të karantinës.”
Ndërkaq, personat e kontaktit të drejtpërdrejtë me pacientët e diagnostikuar pozitiv me virusin korona, do të vazhdojnë të mbeten në izolim për 14 ditë, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë. Pacientët me simptoma, do të vazhdojnë të qëndrojnë në izolim 20 ditë, ashtu se deri më tani.
Ministria e Shëndetësisë
“Pacientët e tjerë, të cilët kanë simptome të dukshme nga CoVid-19 do të duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët amë për 20 ditë rresht gjatë kurimit shtëpiak. Në ditën e 21-të nga diagnostikimi, ata janë të lirë, pa pasur nevojë të testohen sërish për rezultat eventual negativ.”
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme vetëm gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë dhënë 297 personave vendime për izolim dhe 5 të tjerëve deklarata për vetë-izolim. Aktualisht, në kushte të izolimit shtëpiak janë 4,964 persona dhe 55 të tjerë në vetë izolim. Që nga shpërthimi i pandemisë e deri më sot, Inspektorati shtetëror sanitar-shëndetësor ka dhënë 37,491 vendime për izolim dhe ka miratuar 14,054 deklarata të tjera për vetë izolim.