Gazeta portugeze “Record” ka publikuar, ditën e sotme, se kur Cristiano Ronaldo mori vesh që nuk do të ishte titullar ndaj Zvicrës, “kërcënoi me largim nga Katari”.
Një lajm që ka bërë shumë bujë në Portugali dhe ka detyruar Federatën Portugeze të Futbollit (FPF) që të publikojë një komunikatë zyrtare, ku përgënjeshtron gazetën.
“Një lajm i publikuar, këtë të enjte, thotë se Cristiano ka kërcënuar me largim nga grumbullimi i kombëtares pas një bisede me trajnerin Fernando Santos. FPF-ja sqaron se në asnjë moment kapiteni i përfaqësueses, Cristiano Ronaldo, nuk ka kërcënuar me braktisje të kombëtares gjatë qëndrimit në Katar. Cristiano Ronaldo ndërton çdo ditë historinë e tij unike në shërbim të kombëtares dhe vendit të tij, histori që duhet respektuar dhe që dëshmon angazhimin e tij të pakushtëzuar ndaj Portugalisë”, lexohet në komunikatë.
“Angazhimi i tij u tregua sërish në fitoren ndaj Zvicrës, në 1/8 e Botërorit. Kombëtarja (lojtarë, trajnerë dhe struktura e FPF) është e përqendruar në objektivin për të zhvilluar një Botëror madhështor”, shtohet në komunikatën e Federatës Portugeze të Futbollit.
Ditën e djeshme u publikua lajmi se Cristiano nuk ishte stërvitur me rezervat pas fitores 6-1 ndaj Zvicrës, por kishte qëndruar në palestër me titullarët, edhe pse ndeshjen e kishte nisur nga stoli.