Çulev përgënjeshtron se policët që janë në hetuesi janë pjesë e ekipit të tij

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev sonte përgënjeshtroi se efektivët e policisë, që janë në hetuesi në Prokurorinë Themelore Publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit janë pjesë e ekipit të tij.
“Lidhur me shkrimin në media për gjoja arrestime të personave që janë pjesë e ekipit tim, do të doja ta informoj opinionin se i përgënjeshtroj ashpër këto konstatime.

Marketing

Bëhet fjalë për ndërmarrje të veprimeve zyrtare me urdhër të gjykatësit për procedurë paraprake për persona që janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të njëjtat janë sistemuar në vende përkatëse pune dhe nuk janë të ndërlidhura me ekipin tim ose me kabinetin tim. Personat nuk kanë marrë çfarëdo qoftë vendimi nga ana ime”, theksoi Çulev, i cili pasi që rasti doli në media, u paraqit para opinionit përmes profilit të tij në Facebook.

Përmendi se askush nuk do ta lëkundë ose frikësojë në përkushtimin e tij për luftë të pa kompromistë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nëpunës policorë janë thirrur në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekje penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të dhënë deklaratë për procedurën, e cila është në vijim, konfirmuan paraprakisht për MIA-n nga Prokuroria.

U janë marrë telefonat, ndërsa zyrtarët policorë janë para prokurorit përgjegjës publik, thonë nga Prokuroria dhe shtojnë se për momentin nuk mund të japin më shumë detaje.

Paraprakisht, një pjesë e mediave publikuan se po zhvillohen arrestime të zyrtarëve të lartë policorë nga ekipi i ministrit të Punëve të Brendshme Naqe Çulev për shkak dhënies së sekreteve zyrtare, dokumenteve, incizimeve nga masa PI dhe publikimin e tyre nëpër portale.