Çulev: Situata me pasaportat, alarmante

Situatë alarmante lidhur me mungesat e pasaportave. Pasaporta në gjuhën shqipe pothuajse nuk ka fare, ndërsa pasaporta në gjuhën maqedonase ka vetëm deri në 10 shkurt. Kështu deklaroi Ministri teknik i Punëve të Brendshme Naqe Çulev, i cili nënvizoi se porosia e radhës është pas 15 marsit, gjë që sipas tij paraqet problem serioz dhe krijon një zbrazëtirë prej më shumë se një muaji. Çulev sqaroi se aktualisht janë në bisedime me kompaninë që është furnizuese e dokumenteve, ndërsa njofton se aktualisht numri i lëshimit të pasaportave është reduktuar.

Marketing

“Situata me pasaportat është alarmante. Pra pasaporta të kategorisë B pothuajse nuk ka. Pasaporta të kategorisë A në gjuhën maqedonase kemi deri kah 10 shkurti, tanimë kemi reduktuar lëshimin. Ky është një problem që e kam trashëguar që më herët, si rezultat i një planifikimi të keq dhe analize për nevojat e ministrisë për pasaporta. Porosia e radhës është pas 15 marsit, pra kemi një problem serioz dhe zbrazëtirë prej thuajse një muaji. Jemi në bisedime me kompaninë “Veridos”, e cila është furnizues i dokumenteve personale.”-tha Çulev.

Problem i njejtë edhe me letërnjoftimet dhe lejet e vozitjes, megjithatë sipas ministrit teknik me këto të fundit po menaxhohet dhe pritet që problemi të tejkalohet këto ditë.

“Problemi me letërnjoftimet tani për tani po menaxhohet në nivel të kënaqshëm,ka ngadalësim të caktuar, megjithatë lidhur me problemin me letërnjoftimet dhe lejet e vozitjes mendoj se problemin do ta tejkalojmë këto ditë. ”

Ministri paralajmëroi se lidhur me detaje për këto probleme, sipas tij, të trashëguara nga përbërja e kaluar në MPB, do të ketë edhe një konferencë për mediat javën e ardhshme.

Marketing