Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç ka thënë se i është kërkuar Serbisë që të mos vazhdojë të lobojë për mosnjohjen e Kosovës, por a thënë se kjo është e pamundur.
Daçiç në një deklaratë për ‘Novostin’, ka thënë se diplomacia serbe nuk do të ndalet.
“Na është kërkuar që të ndalemi me lobimin tonë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ndërkohë që Prishtina dhe mentorët e saj vazhdojnë të lobojnë të kundërtën, për njohjen e Kosovës. Kjo nuk do të jetë e mundur”, ka thënë Daçiç, i cili është pyetur rreth deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili dje deklaroi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një ‘armëpushim’ sa i përket fushës së diplomacisë.
“Nuk e di se në ç’rrethana tjera do të mund të arrihej një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, përveç se në paqe. Është e dukshme se Haradinaj kohën e fundit është i nervozuar dhe po tregohet një lloj maniaku me kërcënime. Dua vetëm ta di nëse fjalori i tij është i aprovuar nga aleatët e tij”, ka thënë Daçiq.
Ndryshe, dje Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë kërkuar armëpushim me Serbinë, me qëllim që në dialog të mbizotërojë paqe politike.