Daçiq thyen sërish zotimin, falënderon Meksikën që s’e njeh Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në vizitën lamtumirëse të ambasadorit të Meksikës në Beograd përmendi edhe Kosovën.

Marketing

Ai falënderoi Marco Antonio Garcia Blanco, i cili së shpejti do ta përfundojë mandatin e tij në Beograd, se shteti i tij vazhdon të mos e njeh Kosovën si shtet, njofton Klan Kosova.

Daçiq theksoi qëndrueshmërinë e Meksikës kur bëhet fjalë për respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përsëriti mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, shkruan Tanjug.

Emisari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se Serbia do ta ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës për t’u mbajtur një takim në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësuesit e dy shteteve më 27 qershor.

“Lajm i madh! Unë kam marrë zotimin nga qeveria e Kosovës dhe e Serbisë për të ndaluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe se do të kërkojnë anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohemi në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për diskutime për dialogun”, kishte shkruar Grenell më 15 qershor.

Një thyerje të zotimit Daçiq e bëri edhe me Algjerinë që e falënderoi për mosnjohjen e Kosovës.

Për këtë kishte reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë, e cila tha se do të ndalë fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës.