Daka: Kosova sot tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në Kosovë, me një pjesëmarrje të votuesve prej 46,9 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, në konferencën e rregullt për media, bëri të ditur se gjatë gjithë procesit të votimit, të drejtën e votës e kanë ushtruar 46,9 për qind e qytetarëve, respektivisht 827.984 votues.

Duke krahasuar të dhënat me zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Daka tha se deri në mbylljen e vendvotimeve, në vitin 2019 të drejtën e votës e kishin shfrytëzuar 44,18 për qind apo 812.049 votues.

Ajo gjithashtu tha se “Kosova sot tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta”.

Gjithashtu, kryetarja e KQZ-së tha se menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, ka filluar afati i paraqitjes së ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me procesin e votimit të sotëm.

Ajo paralajmëroi se shumë shpejtë, KQZ do t’i publikojë edhe rezultatet e para preliminare.

Vendvotimet u hapën në ora 7 të mëngjesit me të gjitha materialet e nevojshme. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ka qenë e obligueshme që pjesëmarrësit në votime të mbajnë maska dhe t’i dezinfektojnë duart.

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, në këtë proces u angazhuan mbi 1 mijë ekipe të lëvizshme për votuesit të cilët janë në vetë-izolim për shkak të koronavirusit.

Sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës ishin në garë 28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti politike, dy koalicione dhe 5 nisma qytetare. Gjithsej 1.052 kandidatë janë paraqitur për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga rreth 30 mijë vëzhgues nga subjekte politike, organizata joqeveritare, përfaqësues të ambasadave dhe të tjerë.

Këto zgjedhje të parakohshme janë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe të tetat që pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.