Daku “ndez motorët”, gol dhe asist në kampionatin rus

Mirlind Daku duket se ka rigjetur formën më të mirë në Rusi, teksa i kanë mjaftuar vetëm 35 minuta për të dhënë një asist dhe shënuar një gol në ndeshjen që Rubin Kazan zhvilloi në shtëpi përballë Akhmat Grozny-t.

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ishte si gjithmonë titullar në majë të sulmit, teksa në minutën e 12’ shërbeu bukur për Randjelovic në qendër të zonës, i cili e pati të lehtë ta shtyjë topin në rrjetë.

Në të 35-ën Daku ia doli të shënojë vetë, duke gjetur kështu golin e parë për vitin 2024 me Rubin Kazanin dhe të pestin sezonal. Pas një krosimi nga krahu, Daku goditi bukur me kokë, por topi u përplas në traversë dhe iu rikthye sërish, teksa këtë herë sulmuesi nuk fali, duke e shtyrë në rrjetë.

Marketing

Vlen të theksohet se kjo është faza e dytë e kampionatit rus, e cila për shkak të temperaturave, ka rinisur vetëm më 2 mars. Në stol për Rubin Kazan edhe sulmuesi tjetër shqiptar, Dardan Shabanhaxhaj, i cili u aktivizua në minutën e 81-të./Supersport