Dalja e Tetovës shfrytëzohet për gara me vetura

Në dalje të Tetovës për në Shkup, në rreth-rrotullimin e fundit, çdo natë organizohen gara me vetura. Zyrtarisht nuk ka organizator të këtyre garave, por pjesëmarrësit mblidhen në mënyrë spontane. Këto gara zakonisht mbahen gjatë kësaj periudhe, me pjesëmarrjen e dhjetëra garuesve nga Tetova dhe rrethina. Ndonëse këto gara mbahen çdo natë, diku para mesnatës, deri më tash është evidentuar vetëm një denoncim nga ana e qytetarëve se në afërsi të pompës së benzinës, në rrugën “Marshall Tito” në dalje të Tetovës, organizohen të ashtuquajtura gara shpejtësie me vetura, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Policia është vënë në dijeni të këtyre garave, por thonë se nuk kanë baza për të iniciuar padi për kundërvajtje. “Në dy ose tre vitet e fundit, një dukuri që përsëritet janë edhe garat me vetura në dalje të Tetovës, dhe ne me forcat tona në terren marrim masa preventive në pjesët e qytetit ku mendojmë dhe dyshojmë se ka gara në terren. Për shembull, kemi Pompën e benzinës në dalje të qytetit, ku e përdorin si pikë ku mund të parkojnë për të furnizuar makinat dhe ne nuk mundemi të marrim masa represive në atë terren. Megjithatë, ne në aspekt preventiv, i largojmë nga ai vend në mënyrë që t`i shmangim garat”, deklaroi Besir Qamili, zëvendëskomandant i Stacionit për siguri në komunikacionin rrugor në Tetovë.

Policia është në hall me këta garues, ngase kur shkojnë në vendngjarje nuk ka gara, por qëndrojnë vetura të parkuara. Por nga Policia thonë se bëjnë analiza për të penguar mbajtjen e garave. “Ne çdo vit reagojmë në këtë aspekt, por përsëri këta persona shfrytëzojnë këtë pikë për të treguar performancat e veturave të tyre, dhe ne nuk kemi si të ndërhyjmë kur vetura është e parkuar pasi nuk i kemi kapur duke garuar, por kemi vetëm dyshime se ato garojnë. Edhe për këtë problematikë ne bëjmë analiza në stacionin tonë edhe më gjerë, dhe do të jemi me tej me hapa më konkrete në terren”, tha Qamili.

Nga policia e Tetovës thonë se janë shtuar patrullimet në atë pjesë të qytetit. “Në këtë vend, menjëherë janë dërguar pjesëtarë të policisë, të cilët kanë marrë masa konkrete për zbardhjen e rastit të denoncuar, me ç`rast çdo natë nga ora 22 deri ora 2 në mesnatë, dukshëm është shtuar prania e policisë, jo vetëm në këtë, por edhe në rrugët tjera në pjesën qendrore të Tetovës. Këto gara paraqesin shkelje të ligjit për siguri në komunikacionin rrugor dhe varësisht nga shpejtësia, nga tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, vozitësve u janë përgatitur padi adekuate, ndërsa dënimi lëviz nga 45 deri në 400 euro.

Krahas kësaj, nëse tejkalimi i shpejtësisë është më i madh, atëherë është paraparë edhe masa tjetër, marrja e përkohshme e lejes së vozitjes nga tre deri në një vit”, thotë zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Marjan Josifovski. Sektori për punë të brendshme në Tetovë do të vazhdojë me kontrollet e përforcuara të shpejtësisë, ndërsa të gjithë shkelësit e ligjit do të sanksionohen, me qëllim që të sigurohet qarkullim i lirë i pjesëmarrësve në komunikacion, pohojnë nga Policia e Tetovës.

Marketing