Danella Arsovska, nismë për ndërrimin e emrit të rrugës “Adem Demaçi”

Kryetarja e Qytetit të Shkupi Danella Arsovska ka dorëzuar në Këshillin e Qytetit nismë për të ndërruar emrin e rrugës “Adem Demaçi” dhe kthimin e emrit të vjetër “Brigada e Dytë Maqedonase”. “I bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të Qytetit të Shkupit të votojnë për këtë propozim, përmes të cilit do të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjve, pjesëtarë të brigadës së dytë maqedonase që kanë dhënë jetën për Maqedoninë”, thuhet në arsyetimin e Arsovskës.

Marketing

Kryetarja e Shkupit apeloi që kjo nismë të mos politizohet dhe të mos keqpërdoret për rritjen e tensioneve ndëretnike. Ndërkohë Arsovska shkon edhe më tej duke i propozuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që në Prishtinë të emërtojë një rrugë me emrin e revolucionarit maqedonas Todor Aleksandrov, i cili sipas saj ka bashkëpunuar me Hasan Prishtinën, Hasan Bejta dhe Bajram Currin në luftën kundër okupimit të mbretërisë jugosllave.