Dani Alves u lirua nga burgu në Spanjë, mblodhi një milion euro dhe pagoi me kusht

Siç shkruan Marca, gjykata në Barcelonë ra dakord për lirimin e tij të përkohshëm dhe braziliani do të largohet sot nga burgu i Brians.

Ish-futbollisti i Barcelonës, prej muajsh i kërkon gjykatës lirim të parakohshëm, por gjithmonë është refuzuar duke përmendur rrezikun e arratisjes për shkak të pasurisë dhe fuqisë së lartë blerëse të Alves.

Gjithashtu, duke marrë parasysh se Brazili nuk ka një traktat ekstradimi me Spanjën, Ministria e Drejtësisë vendosi ta mbajë në burg disa herë më parë, por tani zbutën masat.

Ende nuk dihet se nga i ka marrë paratë Alves, pasi familja e Neymar refuzoi ta ndihmonte, ndonëse më parë pretendohej se ishte ylli i Al Hilal ai që ia dha paratë ish-bashkëlojtarit të tij në Barcelonë.

Për kujtesë, Alves u dënua me katër vjet e gjysmë burg për një sulm seksual në Barcelonë më 30 dhjetor 2022. Tani ai do të jetë i lirë të presë vendimin përfundimtar.

Braziliani nuk e ka përfunduar asnjëherë zyrtarisht karrierën e tij, por duket qartë se e ka mbaruar futbollin në nivelin më të lartë. Angazhimi i tij i fundit ishte në UNAM meksikan dhe më parë ka luajtur për Barcelonën, Sao Paulo, PSG, Juventus, Sevilla dhe Bahia.

Ai la gjurmët më të thella në Barcelonë me 408 paraqitje dhe me 43 trofe të fituar gjatë karrierës së tij, ai është ndër futbollistët më trofe të të gjitha kohërave. Ai ka 126 paraqitje për kombëtaren braziliane. /Telegrafi/

Marketing