Daravellski mbetet në burgun e Idrizovës, MD: Vepra kundër tij, nuk është vjetërsuar

Ish-Drejtori i Drejtorisë Doganore Dragan Daravellski, mbetet në burgun e Idrizovës. Ai ka parashtruar kërkesë për gjykim të sërishëm, sepse për herë të parë është gjykuar në mungesë. Nëse kërkesa i pranohet do të mund të shpëtojë për shkak të vjetërsimit të lëndës. Por, nga Ministria e Drejtësisë konfirmojnë se vepra nuk është vjetërsuar.

Marketing

“Në pajtueshmëri me kërkesën është formuar lëndë e cila i është dorëzuar këshillit penal kompetent, për veprim të mëtutjeshëm. Këshilli fillimisht do t’i drejtohet për marrjen e të dhënave institucionit ku i njëjti duhet të mbajë dënimin me burgim dhe më pas lënda do të dorëzohet për mendim deri te Prokuroria Themelore publike.”, thonë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

Pas arrestimit të tij në opinionin publik kishte dilema se a do të mundet ai të jetë qytetar i lirë për shkak të vjetërsimit të lëndës. Sipas Nenit 111 të Kodit Penal vjetërsimi i lëndës ndërpritet në kushte kur shqiptimi i dënimit nuk mund të ndërmerret, si dhe me çdo veprim që organet kompetente e marrin që i dënuari të zbatojë dënimin.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë për TVM se pas vendimit të plotfuqishëm për Daravellskin kanë dorëzuar disa kërkesa për ekstradim nga Serbia. E fundit ka qenë në qershor të vitit 2020 dhe për të nuk ka përgjigje. Kërkesa tjera ka pasur edhe në vitin 2004, 2013, 2016, por ekstradimi është stopuar për shkak të shtetësisë së tij serbe. Sipas Ligjit, vjetërsimi absolut i veprës do të mund të kishte në vitin 2028, kur të kalojnë njëzet vite nga kryerja e veprës.

“Në pajtueshmëri me raportet e Gjykatës Themelore në Kumanovë, vjetërsimi absolut për ekzekutimin e dënimit pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1, nr 809/05 , hyn në fuqi më 26.03.2028. Vjetërsia konstatohet vetëm nga gjykata kompetente.”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Daravellski u arrestua në pikën kufitare Tabanovc, gjatë tentimit që nga Serbia të hyn në vendin tonë. Jetonte në shtetin fqinj, pasi u dënua me shtatë vite burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të shtetit për dy milionë e gjysmë euro.