Zjarri i dashurisë për të dashurën e tij i dogji shtëpinë, 26-vjeçarit me origjinë shqiptare Albert Ndreu në Britaninë e Madhe. Rasti i tij ka bërë bujë në mediat vendase, por edhe më gjerë përtej Atlantikut.
Me pasionin e zjarrtë për t’i propozuar për martesë të dashurës Valerija Madeviç, i riu donte ta surprizonte atë përmes një dekori romantik. Albert Ndreu ndezi mbi 100 qirinj në sallonin e shtëpisë ku ata bashkëjtojnë në Sheffield në Angli.
Disa prej qirinjve i kishte përdorur për të shkruar propozimin për martesë. Siç rrëfejnë të rinjtë për mediat britanike, Ndreu ndezi qirinjtë dhe doli për të marrë të dashurën nga puna, në mënyrë që ajo t’i gjente ndezur kur të hynte në shtëpi.
Por në kthim ata panë që nga larg tymin në banesën e tyre dhe njoftuan zjarrfikësit. Megjithatë, 26-vjeçari nuk e humbi veçantinë e momentit dhe propozimin ia bëri sërish surprizë në banesën e tyre të djegur. 22-vjeçarja pranoi.
Ata kanë një vit që janë njohur dhe në përvjetorin e tyre të parë të lidhjes së dashurisë kanë planifikuar të zhvillojnë ceremoninë e martesës, ku të ftuar do të jenë edhe zjarrfikësit që shuan flakët në shtëpinë e tyre, në shenjë falenderimi.