Dauti: Doganierët në Bllatë parandaluan kontrabandën me pajisje për tatuazh (FOTO)
Në pikën kufitare Bllatë është parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mbi tre mijë gjilpërave dhe pajisjeve të tjera për tatuazh.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, përmes një postimi në Facebook.
Sipas tij, nëpunësit doganorë, gjatë kontrollit në hyrje të pikës kufitare Bllatë, kanë sekuestruar mbi 3.000 gjilpëra për tatuazh, të cilat drejtuesi i një automjeti transportues kishte tentuar t’i fuste ilegalisht në vend.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit janë zbuluar edhe 60 paketime me gjithsej 7,2 litra bojë për tatuazhe, 150 copë pomada, si dhe mjete të tjera ndihmëse që përdoren për realizimin e tatuazheve.
Mallrat janë sekuestruar nga autoritetet doganore, ndërsa rasti do të procedohet në përputhje me dispozitat ligjore. / Aktuale.mk
