“Shqipëria dhe Maqedonia, synojnë të jenë një treg i përbashkët rajonal, për thithjen e investimeve, zhvillimin e tregtisë dhe të turizmit reciprok midis dy vendeve”, thotë Bardhyl Dauti, ministër për Investimet e Huaja në Qeverinë e Maqedonisë gjatë një interviste në Tiranë për ATSH.
Ndër të tjera ai theksoi se, “bizneset e Maqedonisë synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar shërbimet në Portin e Durrësit dhe jo në atë të Selanikut”.
Dauti, njëherësh profesor i Makroekonomisë në Universitetin e Tetovës, u shpreh se duhet të shfrytëzohet hapësira për turizëm në Shqipëri.
“Biznesi i Maqedonisë duhet të shfrytëzojë sektorin e turizmit në Shqipëri, posaçërisht për investime në hotelet me 4 e 5 yje dhe resorte turistike. Ndërsa biznesi shqiptar ka mundësi të rrisë invesimet në Maqedoni në zonat zhvillimore industriale. Në kuadër të Fondit për Ballkanin Perëndimor, do të ishte mirë që Shqipëria dhe Maqedonia të promovohen si një treg unik, në mënyrë që dhe të ardhurat potenciale të jenë të mirëseardhura për të dy vendet”, tha ai.
Dauti nënvizoi faktin se në kuadër të këtij Fondi, edhe përfitimet potenciale përmes projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, infrastrukturës, agrobujqësisë dhe turizmit, marrin përparësi krahasuese për të dy vendet, në krahasim me vendet e rajonit.
“Aspirata integruese e të dy vendeve tonë për integrimin në Bashkimin Europian, lidhet me kriteret e Kopenhagës, që vendet pretendente duhet të promovojnë për një stabilitet makroekonomik, fiskal, përmirësimin e kushteve e të bërit biznes dhe politikë konkurruese që është një ndihmesë për të dyja vendet, që të kenë më shumë qasje në Fondin e Ballkanit Perendimor”, tha Dauti për ATSH-në.
Ky Fond, theksoi ai, stimulon investimet në energjetikë, infrastrukturë dhe në projekte të ndryshme, materializimi i të cilave i bën dy vendet tona më konkurruese me vendet e tjera rajonale dhe që i bën të jenë më afër BE-së.
Kujtojmë se Kosova nuk është pjesë e paketave turistike me Shqipërinë apo vendet e tjera të rajonit.