De la Fuente: Jam krenar për lojtarët, Scaloni: Ata ishin më të mirë

De la Fuente: Jam krenar për lojtarët, Scaloni: Ata ishin më të mirë

“Jam krenar për lojtarët dhe krenar që jam spanjoll”, deklaroi përzgjedhësi i kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, pasi “Furia e Kuqe” u shpall kampione e botës me fitoren 1:0 ndaj Argjentinës.

“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë brez futbollistësh. Ata u rritën me këtë ide, punuan për të dhe na treguan se çfarë do të thotë uniteti, shpirti ekipor dhe një familje e vërtetë. Këta janë lojtarë jashtëzakonisht të talentuar. Për mua ishte nder i madh t’i shoqëroja në këtë rrugëtim. Kur shikoj pas, emocionohem shumë”, tha strategu spanjoll.

“Kemi biseduar shumë me lojtarët. Fituam gjithçka që mund të fitohej dhe kjo është diçka e mrekullueshme. Ky brez futbollistësh është krenaria e gjithë Spanjës. Së bashku jemi më të fortë”, shtoi trajneri 65-vjeçar.

De la Fuente theksoi se Spanja duhej ta kishte vendosur finalen më herët.

“Mendoj se duhej ta kishim mbyllur ndeshjen më herët. Portieri argjentinas, Emiliano Martínez, bëri disa pritje të jashtëzakonshme. Në ndeshje të këtilla duhet të vuash deri në fund”, deklaroi ai.

Heroi i takimit ishte Ferran Torres, i cili realizoi golin vendimtar.

“Ky nuk është vetëm goli im, por goli i 47 milionë njerëzve. Kështu duhej të përfundonte. Fituam për popullin tonë. Çdo finale është e vështirë. Kur luan kundër Lionel Messit, rreziku është gjithmonë i pranishëm. Megjithatë, ne u mbështetëm vetëm te loja jonë dhe e dëshmuam këtë”, tha Torres.

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ishte i dëshpëruar pas ndeshjes.

“Ndjenjat pas ndeshjes janë të mbushura me trishtim, por e di se e lamë zemrën në fushë. Do t’u jem përgjithmonë mirënjohës lojtarëve të mi që arritën në finalen e dytë radhazi të Kampionatit Botëror dhe luftuan deri në minutën e fundit”, deklaroi ai.

“Spanjollët ishin më të mirë, kjo është e vërteta. Megjithatë, do ta ruaj kujtimin e jashtëzakonshëm për gjithçka që arriti skuadra ime. Duhet t’ia japim vlerën e duhur këtij suksesi, sepse nevojitet shumë mund për të arritur në finale. Jemi të mëdhenj pas fitoreve dhe duhet të mbetemi të tillë edhe pas humbjeve. E humbëm ndeshjen dhe unë e marr përgjegjësinë”, shtoi Scaloni. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF