Agjencia për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë tek Informatat me Karakter Publik, shënoi Ditën Ndërkombëtare për Qasjen në Informacionet me Karakter Publik. Por, në agjendën e shënimit të kësaj ngjarjeje, edhe pse i paraparë më herët, zëvendësdrejtori Blerim Hyseni është hequr nga lista e diskutuesve. Hyseni thotë se ky largim i tij erdhi pasi drejtoreshës Plamenka Bojçeva mund t’i pengojë debati në gjuhën shqipe, madje paraprakisht Hysenit i është kërkuar edhe fjalimi që do të mbajë, ku ka pasur edhe doza kritike për udhëheqjen e këtij institucioni. Për një censurim të tillë Hyseni ka kërkuar sqarim, e nga Plamenka Bojçeva i është thënë se ky është qëndrim i delegacionit të BE-së.
“Të premten në ora 14:20, marr një e-mail nga një e punësuar në delegacionin e BE-së në Shkup, ku thuhet se: “në atach keni listën përfundimtare”, në të cilën unë si zv/drejtor, jam hequr nga diskutimi. Pas konsultimeve me të, ajo pretendon se ky është qëndrim i delegacionit të BE-së në Shkup për çka personalisht dyshoj se ka të bëjë me të vërtetën.”,- tha zëvendësdrejtori i AMDQLIKP-së, Blerim Hyseni.
Hyseni ka kërkuar sqarime shtesë por deri më tani ka marrë vetëm telefonata me pretendim se kjo është bërë për shkak të pandemisë.
“Kërkoj që përfaqësuesit më të lartë të delegacionit të BE-së të zbardhin të vërtetën, gjithashtu kërkoj nga Kuvendi i RMV-së, si organ para të cilit ne japim përgjegjësi, të shqyrtojë këto zhvillime.”,- theksoi Hyseni.
Hyseni thotë se në këtë Agjenci mungon transparenca, por do të kërkojë deri në fund të zbardhet e vërteta për këtë anashkalim.(Tvm 2)