Debati për amendamentet kushtetuese fillon këtë javë

Propozim Amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës të mërkurën më 9 nëntor do të gjinden para anëtarëve të komisionit për çështje kushtetuese, ndërsa në seancë plenare do të shqyrtohen më 1 dhjetor.

Marketing

Dy ditë më parë Qeveria ka miratuar propozim amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës, ndërkaq siç ka njoftuar kryeministri Zoran Zaev, në amendamente janë përfshirë edhe kërkesat e tetë deputetëve të opozitës maqedonase për mbrojtjen e identitetit maqedonas, kushtëzimin që ndryshimet të hyjnë në fuqi pas ratifikimit të marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti grek dhe përdorimi i brendshëm i emrit të ri në faza, duke ndjekur procesin integrues të vendit. Me këto amendamente në preambulën e shtetit është futur edhe Marrëveshja e Ohrit dhe ky dokument tanimë është pjesë e Kushtetutës së re të shtetit.

Propozim ndryshimet synojnë ndryshime në nenin 3, 36, 49 dhe në Preambulë. Nga Qeveria kanë sqaruar se amendamenti i parë ka të bëjë me ndërrimin e emrit “Republika e Maqedonisë” dhe “Maqedonia” me “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe “Maqedonia e Veriut”. Nga Qeveria kanë sqaruar po ashtu se kjo zbatohet çdo kund në Kushtetutë përveç në nenin 36 ku ka aspekt historik.

Pjesa e dytë është Preambula ku vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me shpalljet e KAÇKM-së dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit me qëllim që të konstituohet elementi shtetëror. Kjo është pjesë e konstituimit të shtetit dhe vetëm se shtohet Marrëveshja e Ohrit.

Me amendamentin e tretë shtohet një paragraf dhe ka të bëjë me sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje. Amendamenti i katërt përskaj identitetit maqedonas, qëndron se Republika i mbron të drejtat dhe interesat e qytetarëve të saj dhe i përmirëson lidhjet me atdheun, pra kjo pjesë ka të bëjë me diasporën.

Përpos amendamenteve kushtetuese, javën e ardhshme në Kuvendin e RM-së vazhdon edhe debati për rishikimin e buxhetit. Të hënën, Komisioni për financim dhe buxhet, vazhdon debatin e filluar më 29 tetor, ndërkaq janë dorëzuar gjithsej 187 amendamente prej të cilave 179 nga partia opozitare, VMRO-DPMNE.

Shqyrtimi i propozim rishikimit të buxhetit nga ana e komisionit që filloi të hënën e kaluar, duhet të përfundojnë më së voni për 10 ditë, pas çka pritet të vendoset në votim në seancë plenare në Kuvend.

Komisioni nesër pritet të diskutojë dhe shqyrtimi i amendamenteve të përfundojë për afat më të shkurtër se sa është paraparë. Me projekt-rishikimin e buxhetit, është propozuar që të korrigjohen anët e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit me 0.5%.