Në Komisionin për Financa dhe Buxhet ka vazhduar debati rreth Ligjit për tatimin progresiv që sërish përplasi pushtetin dhe opozitën.
Derisa për pushtetin ky tatim është më i drejtë dhe i duhuri pasi do t’i përfshijë vetëm më të pasurit, për opozitën ky lloj tatimi shihet vetëm si folk politik dhe aspak nuk pritet të ulë varfërinë në vend.
“I kurseni të pasurit dhe nuk jeni të sinqertë kur e thoni këtë, pasi pasuria nuk matet vetëm me të ardhura formale, sepse dikush mund të ketë të ardhura formale prej 20 mijë denarësh, ndërsa vozit veturë luksoze prej 100 mijë eurosh”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
“Sipas të dhënave të DAP-it, që janë të sakta dhe shumë të qarta, vetëm 1% e personave më të pasur kanë të ardhura mesatare mujore prej 4,300 euro, ndërsa 99% të tjerë kanë një pagë mesatare prej 380 euro, derisa 70% kanë të ardhura madje edhe më pak se 380 euro”,- u shpreh ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Nga 22 amendamentet e propozuara gjatë debatit të sotëm, qeveria pranoi vetëm 8, edhe ata të gjithë të propozuar nga deputetë të saj, ndërsa pranoi vetëm një amendament të përbashkët të qeverisë dhe opozitës që kishte të bënte për mostatimin e të ardhurave nga shpenzimet e transportit dhe ushqimit në pjesën e bursave.
Veç kësaj, u pranua edhe amendamenti i qeverisë për përjashtimin nga tatimi i punëdhënësit që punësojnë nxënës dhe studentë si praktikantë, ndërsa për të shtuar motivimin tek ta, paga t’iu rritet nga 6 në 8 mijë denarë. Ligjin për të ardhurat personale, i cili paraqet edhe zbatimin e tatimit progresiv, qeveria do ta sjellë me procedurë të shkurtuar dhe planifikon të fillojë me aplikimin e tij në fillim të vitit të ardhshëm.