Deformimi i emrave që nga librat amë, me digjitalizimin e të dhënave problemet do të evitohen

Në shumë familje jomaqedonase vërehen se kanë mbiemra të ndryshëm. Qoftë edhe një shkronjë ndryshe, për shembull Qaili – Çailji, Smajlagiq-Smajlagjik e deri te prapashtesat e mbiemrave me “ovski”dhe “viq”. Përveç deformimit të emrave dhe mbiemrave gjatë përkthimit nga maqedonishtja në gjuhët tjera, në dokumentet e identifikimit dhe të udhëtimit hasen edhe gabime të tjera drejtshkrimore. Këto deformime sipas drejtorit të Drejtorisë për udhëheqjen e Librave Amë, Bujar Dardhishta, kanë qenë tendencioze jo vetëm para vitit 1992, por edhe gjatë pushteteve të kaluara në Maqedoni.

Marketing

“Mendoj se ish sistemi i kaluar dhe më i hershmi në forma të ndryshme, qofshin ato të kushtëzuara apo me forcë kanë tentuar të bëjnë kësi manipulimesh, por çështja e identitetit është çështje fakti dhe jo çështje ndjenjash. Unë inkurajoj qytetarët, se aty ku ne mund ta bëjmë punën tonë le të drejtohen tek zyrat tona rajonale, t’ju dalim në ndihmë në atë sa jemi kompetent. Për arsye se pavarësisht këtyre problematikave, ka ardhur koha që qytetarët të vetëdijesohen sepse bëhet fjalë për një procedurë administrative ku nuk merr kohë më shumë se një muaj.”, deklaroi Bujar Dardhishta Drejtoria e udhëheqjes së librave amë.

Drejtori Dardhishta thotë se nëse ka vullnet politik zgjidhja është e thjeshtë. Me iniciativë për ndryshime ligjore në Kuvend, të plotësohen nenet përkatëse të ligjeve me sqarimin se përshkrimi i emrit dhe mbiemrit të personave me kombësi të ndryshme dhe përdorimi i tyre në gjuhët tjera bëhet nga gjuha amë që përdorin qytetarët. Kjo sipas tij, duhet të vlejë jo vetëm në rastin e personave që flasin gjuhë tjetër të ndryshme nga gjuha maqedonase por për të gjithë qytetarët e tjerë që përdorin gjuhë me alfabet jo cirilik.

“Të dhënat që i disponon drejtoria jonë në librat amë shumë herë nuk korrespondojnë me të dhënat që i ka Ministria për Punë të Brendshme dhe në planin strategjik jo më larg se këtë vit ne do të bëjmë azhurnimin e të dhënave që posedojmë ne dhe MPB-ja. Vlerësojmë që një pjesë shumë të madhe, të them kushtimisht, të këtyre gabimeve teknike të shkronjave mendoj se do t’i korrigjojmë. Kurse mërgimtarët tanë që vijnë te ne për të paraqitur fëmijën e lindur, ata realisht duhet të përkthehen tek përkthyesi i autorizuar që është, dhe ne vetëm bëjmë punën tonë”përfundoi Dardhista.

Nga Drejtoria për udhëheqjen e Librave Amë thonë se shumë gabime drejtshkrimore do të anashkalohen me digjitalizimin e shërbimeve, proces i cili është paraparë me buxhetin e vitit të ardhshëm, duke kompjuterizuar të gjitha 154 zyrat rajonale të Librave Amë në Maqedoni. Sipas drejtorit Bujar Dardhishta, për Ligjin e të dhënave personale është kompetent MPB, kurse Drejtoria për udhëheqjen e Librave Amë prej 10 vjetësh është nën Ministrinë e Drejtësisë. Ai iu bën thirrje të gjithë personave, të cilët kanë probleme me gabimet drejtshkrimore, korrigjimet në të gjitha dokumentet mund t’i bëjnë në një procedurë të përshpejtuar brenda një muaji.

PËRKTHIME JOADEKUATE TË EMRAVE JO-MAQEDONAS, DIKA: URGJENT TË NDRYSHOHET LIGJI PËR LETËRNJOFTIMET

PËRKTHIME JOADEKUATE TË EMRAVE JO-MAQEDONAS, DIKA: URGJENT TË NDRYSHOHET LIGJI PËR LETËRNJOFTIMET

Publiée par TV21 sur Dimanche 29 juillet 2018

 

Marketing