Ministria e Arsimit dhe shkencës i ka hedhur poshtë akuzat e Aleancës për Shqiptarët, lidhur me dëftesat në ditarin elektronik që sipas kësaj partie plotësohen vetëm në gjuhën maqedonase e jo edhe në shqip.
Në televizionin 21, nga MASH kanë dërguar fotografi të cilat sipas tyre dëshmojnë se ekziston edhe opsioni në gjuhën shqipe.
“Për herë të parë pas shumë vitesh, ditari elektronik punon pa vonesa. Dje janë regjistruar 731.000 nota në ditar, që është rekord. Po ashtu, dëftesa gjenerohet në mënyrë automatike, në gjuhën e zgjedhur, pra edhe në gjuhën shqipe. Nga shtatori, do të vijojnë risi të tjera ku si rezultat, të dhënat nëpër shkolla do të ruhen vetëm në forme elektronike, do të ketë edhe shumë shërbime tjera shkollore të cilat do të jenë elektronike, transparente dhe të shpejta”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.