Njëri ndër problemet që i shqetson banorët e Kërçovës është mungesa e deponisë sanitare. Kreu i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, thotë se administrata komunale ka gjetur një zgjidhje të përkohshme të këtij problemi, por sipas tij zgjidhja afatgjate e këtij problemi është krijimi i deponive rajonale për grumbullimin e mbeturinave.
Menaxhimi me mbeturinat është një problem global i cili kërkon zgjidhje afatgjate dhe krijimin e deponimeve rajonale që duhet të realizohet përmes projektit qeveritar. Problemin e deponisë së qytetit përskaj lumit të Zajazit nuk e krijuam ne, por ajo ka ekzistuar shumë më herët dhe sipas informacioneve që i posedojmë, në këtë vend për 40 vite rresht janë hedhur mbeturinat e qytetit, thotë kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari.
Ky problem i trashëguar natyrisht se e ka rritur ndotjen e ambientit jetësor dhe pas reagimeve të qytetarëve, ne u angazhuam për tejkalimin e kësaj situate duke gjetur një zgjidhje të përkohshme të këtij problemi, me sistemimin e tyre në hapësirat e gërmuara të Termocentralit të Osllomesë, shprehet kryetari Dehari.