Dekania e UT-së, Prof. Dr. Shpresa Memishi në takimin universitar ballkanik të sportit

Një delegacion i Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga dekania, Prof. Dr. Shpresa Memishi, e shoqëruar edhe nga Prof. Dr. Fadil Mamuti, Prof. Dr. Fadil Nika dhe Prof. Dr. Kastriot Shaqiri, morën pjesë në takimin universitar ballkanik mbi sportin dhe programet evropiane, që u mbajt më 2 qershor 2022 në Tiranë të Republikës së Shqipërisë.

Marketing

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin përfaqësues të shumë universiteteve dhe fakulteteve të sportit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, u diskutua mbi rëndësinë e organizimit të manifestimeve sportive në kontekst të javës evropiane të sportit. Me këtë rast u fol edhe për organizimin e një turneu universitar ballkanik në tri disiplina sportive, edhe atë, volejboll, basketboll dhe futboll të vogël, me sistem eliminimi.

Veç kësaj, rëndësi e veçantë iu kushtua krijimit të programeve të përbashkëta evropiane në kuadër të programit Erasmus +. Pjesëmarrësit në këtë takim universitar ballkanik kushtuar sportit thanë se prioritet kryesor në të ardhmen do ngelet aplikimi në fonde të ndryshme evropiane për të realizuar një projekt të përbashkët sportiv në mes të Universiteteve të Sportit nga Ballkani Perëndimor dhe Universitetit të Romës dhe atij të Vjenës, ku për udhëheqës të projektit u propozua profesori nga Universiteti i Romës, Prof. Paolo Parisi.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shpresa Memishi realizoi edhe një takim miqësor me rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës, Prof. Dr. Agron Kasa. Fillimisht, rektori Kasa e përgëzoi dekanen Prof. Dr. Shpresa Memishi për zgjedhjen e saj në krye të Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës. Më pas, dy bashkëbiseduesit u pajtuan që ta vijojnë bashkëpunimin në të ardhmen në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.