Dëshmia e ish kreut të DSK-së, Zoran Verushevski, në seancën e rastit “Target – Fortesa”, në lidhje me “bombat”, nuk do të ndikojë mbi procedurat që i ka udhëhequr PSP, deklaroi ish prokurorja speciale, Fatime Fetai, para fillimit të seancës për rastin “Dhuna në komunën Qendër”. Fetai është e prerë, vërtetësia e materialeve nuk është e kontestueshme.
“Materialet e përgjuara si dëshmi janë të njohura dhe të mbështetura me materiale dhe dëshmi verbale. Sipas meje, deklarata e dëshmitarit Verushevski nuk do të ndikojë në autenticitetin e këtyre dëshmive, as në procedurat që zhvillohen lidhur me to. Kam lexuar se ka deklaruar se “bombat” janë modifikuar dhe të komprometuar. Asnjëherë në seancë të pandehurit nuk e kanë thënë këtë frazë: “të prera, të ngjitura, të montuara”, që jepej në media”,- tha prokurorja, Fatime Fetai.
Fetai u shpreh se interpretim për atë se çfarë ka dashur të thotë dëshmitari me fjalët modifikim dhe komprometim të “bombave”, mund ta japë vetëm ky i fundit. Përkujton se dëshmia e Verushevskit akoma nuk ka përfunduar.
“Bëhet fjalë për dëshmi e cila akoma nuk është e përfunduar. Verushevski herën e kaluar është pyetur direkt nga ana e prokurorisë, e tani vijon marrja në pyetje e tij nga ana e mbrojtjes. Në fund, gjykata ka të drejtë të parashtrojë pyetje me karakter më detajues”,- theksoi prokurorja, Fatime Fetai.
Ish kreu i DSK-së, Zoran Verushevski, në dëshminë për “Target – Fortesa”, të hënën tha se dokumentacioni ka përjetuar modifikime të ndryshme pas privimit të tij nga liria në vitin 2015, kurse në lidhje me origjinën e materialeve ai porositi të ketë ekspertizë nga institucionet kompetente.
Ndërkohë, nga LSDM theksuan se vërtetësia e “bombave” disa herë është konfirmuar, e nuk deshën të komentojnë vendime gjyqësore që janë në rrjedhë e sipër. Rasti “Target- Fortesa”, është lënda kryesore e Prokurorisë Speciale.
Sipas akuzës, DSK nga viti 2008 deri në vitin 2015, ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, pa pasur urdhër nga gjykata.