Dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve ka bërë që Kryeministri Edi Rama të thërrasë në një takim të gjithë juristët e Partisë Socialiste. Takimi do të zhvillohet mesditën e sotme në Kryeministri, ku i pranishëm do të jetë edhe Taulant Balla.
Rama ka kërkuar takim me juristët e Partisë Socialiste, të cilët janë angazhuar në zgjedhjet e fundit. Kryeministri pritet të këshillohet përsa i përket rrugës ligjore që qeveria do të ndjekë, për shfuqizimin e dekretit të Presidentit Meta.
Një ditë më parë Kryeministri Rama u shpreh se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Kushtetuta parashikon që dekreti për datën e zgjedhjeve mund ta shqyrtojë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ka një lëvizje brenda Partisë Socialiste, që të kërkojnë shfuqizimin e dekretit në Gjykatën Administrative, por juristët thonë se nuk ka asnjë bazë ligjore.