Donald Trump është zotuar me kohë t`i japë fund shpejt luftës në Ukrainë sapo të marrë frerët e Shtëpisë së Bardhë e të njëjtën gjë pretendon të bëjë edhe me konfliktin në Rripin e Gazës.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ka paralajmëruar se ‘situata do të bëhet kaotike’ nëse Hamasi nuk i liron pengjet deri më 20 janar, ditën kur ai merr zyrtarisht detyrën.
Dhjetëra persona, mes tyre amerikanë, po mbahen ende peng nga grupi që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur si terrorist. Trump e ka bërë të qartë se nëse pengjet nuk lirohen përgjigja do të jetë shkatërruese.
“Ata duhet ta gjejnë vetë se çfarë do të thotë kjo, por një gjë është e sigurt se nuk do të jetë diçka e mirë”, tha ai. Republikani ka marrë meritat për arritjen e një armëpushimi muajin e kaluar mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, që u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Sakaq, planet e tij për Rripin e Gazës janë të paqarta, por disa informacione mbi atë që mund të jetë plan ii tij kanë dalë tashmë. “Presidenti Trump mund të ketë disa burime për të rritur presionin ushtarak ndaj Hamasit.
Nuk mendoj se kjo do të jetë diçka më e ashpër sesa operacioni i izraelit gjatë 14 muajve të fundit. Por, mund të ketë një element tjetër, megjithëse shpresoj që nuk do ta ketë këtë qasje, për të tkurrur një pjesë të ndihmave humanitare”, thotë Ahmed Fouad Alkhatib nga Këshilli i Atlantikut.
Nga ana tjetër administrata aktuale po kërkon shtim të ndihmave humanitare në Gazë dhe po angazhohet deri në ditën e fundit të Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë për arritjen e një armëpushimi, e pohuar kjo nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.