Në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e cila do të mbahet nga 30 shtator deri më 4 tetor 2019 në Strasburg, Francë, merr pjesë Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i përbërë nga Betian Kitev, shef dhe Shpresa Hadri dhe Nikolla Poposki, anëtarë.
Në këtë seancë plenare, deputetët do të votojnë për rezolutën e raportit për Dialogun e Pas-Monitorimit të Këshillit të Evropës me Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili i përfshin çështjet që lidhen me zhvillimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.
Sipas agjendës së sesionit, Presidenti i Republikës së Francës, Emanuel Makron, do të mbajë fjalim, pastaj do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Sekretari shtetëror për çështje evropiane i Francës, Ameli de Monshalin, do të mbajë fjalim në cilësinë e kryesuesit me Komitetin e Ministrave, ndërsa para Asamblesë do të mbajë fjalim edhe Marija Pejçinoviq Buriq, sekretare e përgjithshëm e sapozgjedhur e Këshillit të Evropës.
Temat që do të debatohen nga deputetët janë mbrojtja e denoncuesve, standardet e përbashkëta për institucionet e Avokatit të Popullit dhe mbrojtja e viktimave të terrorizmit, si dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore hebraike. Asambleja do t’i shqyrtojë edhe raportet mbi refugjatët nga klima dhe migracionin e punës në Evropën Lindore, si dhe raportin mbi kontributin e Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës për një shoqëri më gjithëpërfshirëse. Pika në të cilën po kërkohet debat urgjent është shkelja e të drejtave demokratike dhe shtypja e protestave paqësore në Federatën Ruse në prapavijën e zgjedhjeve të këshillit të qytetit në Moskë.
Si zakonisht në fillimin e sesionit vjeshtor, në ceremoninë speciale do të shpallet fituesi i çmimit për të drejtat e njeriut “Vaclav Havel” për vitin 2019 – nga tre kandidatët të cilët hynë në zgjedhjen e ngushtë. Çmimi ndahet çdo vjet për përpjekjet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë dhe më gjerë dhe e përfshin shumën prej 60,000 euro, trofeun dhe diplomën.