Një person humbi jetën dhe 8 u plagosën pas një incidenti në aeroportin ndërkombëtar “Indira Gandhi” në Delhi të Indisë.
Një pjesë e çatisë së Terminalit 1 u shemb mbi makina, përfshirë taksitë, për shkak të shiut të dendur që kishte përfshirë kryeqytetin në ato momente.
Zjarrfikësit e metropolit indian shkuan menjëherë në vendngjarje dhe kontrolluan të gjithë strukturën pasi ekzistonte mundësia për persona të tjerë të bllokuar nën çatinë e shembur.
Përveç llamarinës së çatisë, janë shembur edhe trarët mbështetës, duke dëmtuar makinat e parkuara në zonën e ngarkim-shkarkimit të terminalit.