Dëme të pariparueshme nga hidrocentralet në Malin Sharr

Shoqatat malore vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me ndërtimet e hidrocentraleve të vogla në Malin Sharr. Sipas këtyre shoqatave aspak nuk është e këndshme kur shihen se si janë ndërtuar hidrocentrale në pjesët më të bukura të këtij mali në Maqedoninë e Veriut. “Aspak nuk jemi të kënaqur sepse duke lëvizur në pjesë të bukura të Malit Sharr do të hasim në hidrocentrale. Dua të them se hasim në devijime të ndryshme në natyrë të shkaktuara nga dora e njeriut. Ne si alpinistë jemi të dëshmitarë të kësaj që ndodh, por më e keqja është se kjo ndodhë para syve të të gjithëve dhe nuk ka reagime. Po ashtu jemi të pafuqishëm që të ndërmarrim diçka në këtë drejtim që të parandalojmë shkatërrimin e natyrës”, thotë Boshko Vidoeski nga Tetova.

Marketing

Krahas që është alpinist, Vidoeski, është edhe arkitekt me profesion. Ai sqaron dëmet që shkaktohen me ndërtimet që janë bërë në Malin Sharr. “Dëmet mund t’i analizojmë nga disa pikëpamje. Çdo alpinist apo pjesëtar i shoqatave malore, me shumë emocion reagon kur sheh këtë shkatërrim që bëhet, sepse nuk është e njëjtë bukuria që ka qenë më parë. Dëm tjetër që shkaktohet është se humbet një pjesë e florës dhe faunës, por mos harrojmë se shumë gjallesa që kanë jetuar nëpër ujërat e lumenjve tashmë nuk i kemi. Dëme përjeton edhe bujqësia, sepse tashmë vite me radhë bujqit hasin në mungesë të ujit për të ujitur tokën e tyre të mbjellur”, nënvizon Boshko Vidoeski, alpinist.

Sipas tij, krahas këtyre dëmeve, po ashtu që të ndërtohet një hidrocentral duhet që të hapet rrugë për qasje më të lehtë të makinerisë, e cila do ta ndërtojë të njëjtën. Me këtë rast, thekson ai, duhet që të shkatërrohet një pjesë bukur e mirë e malit të paprekur dhe këtu nuk kemi të bëjmë me shkatërrim të disa metra katrorë pyll, por me kilometra që është një dukuri për keqardhje. “Me këto shkatërrime që bëhen, kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kemi edhe erozione të dheut, vërshime të shpeshtuara. Por, ajo që është më e dhimbshme në këtë drejtim është se përderisa është hapur një rrugë, kjo në të ardhmen krijon mundësi edhe për vepra tjera kriminale, sepse tashmë rrugët janë hapur dhe mund të shfaqen edhe shumë dukuri tjera negative në këto pjesë ku tashmë janë hapur rrugët”, sqaron ai.

Përfaqësues të shoqërisë civile që merren me këtë problematikë tashmë një kohë të gjatë kërkojnë ndryshimin e kornizës ligjore që mos të mundësohet ndërtimi i hidrocentraleve në Malin Sharr. Vite më parë nga Ministria e Ekologjisë e Maqedonisë së Veriut kishin theksuar se investitorët janë të detyruar që pas ndërtimit të hidrocentraleve vendin e dëmtuar ta kthejnë në gjendjen e mëparshme. Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kohë më parë ka paralajmëruar se do të ketë hapa konkret ndaj atyre që nuk kanë respektuar ligjet për mbrojtjen e natyrës gjatë ndërtimit të hidrocentraleve të vogla.