Dëme të shumta materiale nga vërshimet e djeshme, Kumanova e Likova mbetën pa ujë të pijshëm

Reshjet e një dite më parë të shiut dhe breshrit shkaktuan dëme materiale dhe bujqësore në disa pjesë të vendit. Gjendja më e rëndë ishte në fshatrat e Likovës dhe në qytetin e Kumanovës.

Marketing

Stuhia e fortë me shi të rrëmbyeshëm dhe breshër ka lënë banorët e Kumanovës pa ujë të pijshëm. Nga Ndërmarrja Publike Ujësjellësi thonë se shirat kanë sjellë një sasi të madhe të baltës në stacionin e filtrimit, për shkak të së cilës sistemi është mbyllur përkohësisht. Në 24 orët e ardhshme uji në Kumanovë nuk është i pijshëm.

“Për momenti ende në disa pjesë të qytetit ka ujë por nëse nuk stabilizohet ne si ndërmarrje nuk do të furnizojmë ujë te qytetarët. Ramë në kontakt me drejtorin e agjencisë e ushqimit dhe veterinarisë dhe është dorëzuar kërkesë që uji të shfrytëzohet si ujë teknik që domethënë vetëm për gatim, larje dhe këshille tek qytetaret që uji i tillë të jetë i valuar”, deklaroi Oliver Stojmanovski, Drejtor i Ndërmarrjes “Ujësjellësi”, Kumanovë.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se kanë marrë njoftime për përmbytje, dëme në ndërtesa toka bujqësore, rrugë si dhe janë raportuar persona të bllokuar në automjete për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Sipas meteorologut Slavço Popovski mot i paqëndrueshëm do të mbajë edhe në fundjavë.

“Nga dita e nesërme dhe të premten do të kemi atmosferë më stabile dhe nuk presim ndonjë stuhi të madhe ndërsa reshje të reja të shiut dhe mot të pa qëndrueshëm presim gjatë fundjavës”, tha Slavço Popovski – Meteorolog.

Qendra për Menaxhim me Kriza apelon për kujdes gjatë shfaqjes së ndryshimeve lokale të motit, shmangien e lëvizjeve në zona të thata dhe shumë afër shtretërve të lumenjve dhe të gjitha rastet emergjente të raportohen në numrin e urgjencës 112 të QMK. /Alsat.mk

Marketing