Demerxhiev: Ka shtetas bullgarë të ndaluar, por në Shkup do të mbërrijnë rreth 150

“Rreth 100 deri në 150 qytetarë bullgarë pritet të arrijnë në Shkup për të festuar lindjen e Goce Dellçevit”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i brendshëm bullgar Ivan Demerxhiev.

Marketing

Siç njofton BTA, ai pret që premtimet e autoriteteve në vend të realizohen që qytetarët bullgarë që duan të vijnë në Shkup të lirohen pa problem.

Në delegacionin bullgar, i cili sot do të vendosë lule mbi varrin e Dellçevit, në përkujtimin në kishën “Shën Spasi”, janë edhe ministri i Shëndetësisë së Bullgarisë, Asen Medzhidiev dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Vencislav Katinov, përcjell INA.

“Ka të dhëna se janë ndaluar shtetas bullgarë, nuk e di sa saktë. Në fund të ditës do të kem informacione se sa të justifikuara janë motivet”, tha Demerxhiev.

Ai shtoi se ekziston një listë e shtetasve bullgarë që nuk do të lejohen të hyjnë, por siç ka treguar ai, ajo listë nuk është e madhe.

“Në fund të ditës do të ketë informacione të plota lidhur me kalimin e shtetasve bullgarë në kufi dhe në çfarë mase kjo përputhet me angazhimet e ndërmarra nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut”, tha Demerxhiev. Ai planifikon të presë ata bullgarë që duan të vendosin lule në varrin e Goce Dellçevit, në mënyrë që bashkë me ta të festojë përvjetorin e lindjes së Dellçevit.

“Goce Dellçev është një person që i përket historisë dhe respekti për një person të tillë nuk mund të shprehet me dhunë. Respekti shprehet me respekt. Dhuna shkatërron ura, dhe nëse duam të jemi pjesë e Evropës, duhet të ndërtojmë, jo të rrënojmë”, theksoi Demerxhiev dhe u bëri thirrje politikanëve që të mos i nënshtrohen asnjë provokimi.(INA)