Dëmet e tërmetit në Durrës, emrat e personave në kërkim

Policia e Shtetit ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme duke bërë me dije se janë lëshuar 17 urdhëra ndalimi, 9 janë ekzekutuar dhe vijon puna për të tjerë të implikuar.

Marketing

Mes të arrestuarve janë zyrtarë, pronarë, ndërtues e specialistë. Pas një pune 2 javore, në bazë të provave siguruar nga prokuroria, sipas deklaratës së drejtorit të Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu, është konstatuar se dëmet kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa respektuar rregullat.

E pyetur për zhvillimet e hetimeve kryeprokurorja e Durrësit Anita Jella, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë për çdo person apo zyrtar të përfshirë në veprime të paligjshme.

Menjëherë pas tërmetit ka filluar procedimi penal për shpërdorim të paligjshëm, është një procedim që hetohet për herë të parë.

“Ndaj disa shtetasëve do të regjistrohet emri sa i përket veprës penale të vrasjes së kryer me dashje indirekte. Hetimet vazhdojnë dhe janë kryer hetime shumë të shpejta. Objekti i hetimeve ka të bëjë së pari me drejtimin e zbatimit nga drejtuesit formal dhe ato ish – formal. Sa i përket miratimit të lejeve, janë gjetur paligjshmëri dhe po kryhen hetime intensive ndaj objekteve të dëmtuara. Hetimet do të vazhdojnë për çdo person apo zyrtar të përfshirë në veprime të paligjshme”, tha Jella.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi theksoi se personat e larguar jashtë vendit kanë pasur arsye familjare.

“Persona që janë larguar jashtë vendit janë larguar për arsye familjare dhe jo për shkak të hetimeve. 5 personat që janë jashtë shtetit nuk lidhen me arsyet e hetimit, por për arsye shëndetësor ndërsa lidhur me indentitetin e personave ende nuk mund ti bëjmë të ditur”, u shpreh Minxhozi./Lapsi/

Personat në kërkim:

Arben Qato-pronar i Vila Palma

Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)

Aldo Dakovelli-shef sektori në Kadastrën e Durrësit

Artemis Malko-punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit

Artur Çela-ish-drejtori i INUV

Flamur Gjuzi-ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës

Ndërtuesi i banesës së familjes Lala në Kënetë