Dëmet nga vërshimet, ushtarët e ARM-së morën pjesë në ndërtimin e një ure në Slloveni

Pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët marrin pjesë në operacionet humanitare në Slloveni për sanimin e dëmeve nga vërshimet katastrofike, së bashku me pjesëtarët e Ushtrisë sllovene ndërtuan urë të përkohshme në Komunën Mezhica në pjesën veriore të vendit, i cili sot është lëshuar në përdorim. Në hapje të urës në këtë komunë në rajonin e Korushkës, mori pjesë ministri slloven i Mbrojtjes, Marjan Sharec.

Marketing

“Ushtria sllovene paradokohe u qas drejt ndërtimit të kësaj ure të përkohshme. Falënderim për inxhinierët. Ura sot qëndron. Me të vërtetë kemi pasur nevojë, ai është i rëndësishëm për popullatën lokale dhe për ekonominë. Na vjen mirë që është rregulluar kaq shpejtë”, tha ministri Sharec. Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë sllovene, gjeneral-nënkoloneli Robert Glavash, në përurimin e urës theksoi se ura është ndërtuar së bashku me ushtarët e ARM-së.

“Ushtria sllovene bashkëpunon që në fillim për të larguar pasojat e përmbytjeve. Ndihmon ku të mundemi. Mendoj se ndihma është e madhe. Këtë urë e ndërtuam së bashku me pjesëtarët e Armatës maqedonase për katër-pesë ditë”, tha gjeneral-koloneli Glavash.

Në Slloveni ndodhen 100 pjesëtarë të ARM-së, të cilët po ndihmojnë në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm javën e parë të këtij muaji. Ndihma është kërkuar nga Sllovenia përmes mekanizmit NATO EADRCC. Pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, konform vendimit qeveritar, do të qëndrojnë në Slloveni 30 ditë, ku janë të përfshirë në operacion humanitar për sanimin e dëmeve nga moti i keq në rajonet e përmbytura. Në përmbytjet më të këqija që e ka përfshirë Slloveninë nga pavarësia e saj në vitin 1991, kanë humbur jetën gjashtë persona, ndërsa është shkaktuar dëm që vlerësohet në disa miliardë euro.