Dëmshpërblimi për sopotasit, Qeveria akoma s’ka pranuar kërkesën

Qeveria ende nuk e ka pranuar kërkesën e institucionit Avokat i Shtetit lidhur më marrëveshjen për dëmshpërblim mes ish të dënuarve për rastin Sopoti dhe organit ekzekutiv.

Marketing

Ndonëse kërkesa është dorëzuar që nga dita e premte, në adresën e kryeministrit nuk ka një kërkesë nga mbrojtja juridike shtetërore. Edhe pse po afrohet 24 dhjetori kur është caktuar seanca e parë për dëmshpërblimin e Sopotasve, Qeveria pas pranimit të kërkesës, të njëjtën do ta shqyrtojë në shërbimet kompetente të organit.

Nuk përjashtohet mundësia që përgjigja e Qeverisë nëse pranon marrëveshje me Sopotasit apo zgjedh rrugën gjyqësore të vij pas fillimit të seancës së parë. Në të kundërtën, në rast se Qeveria pranon kërkesën e Avokatit të Shtetit që kontesti të zgjidhet me marrëveshje duke iu shmangur procedurave gjyqësore dhe kostove juridike, çështja përmbyllet me 24 dhjetor me vendim të plotfuqishëm. Gjykata në këtë rast do të konstatonte se palët janë pajtuar për marrëveshje dhe se procedura gjyqësore për këtë rast ndërpritet.

Padia e Sopotasve ndaj shtetit vjen pas mohimit të kërkesës së tyre për dëmshpërblim nga Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit edhe pse e obliguar me afat 5 ditorë, akoma nuk i ka kthyer përgjigje Avokatit të Shtetit lidhur me qëndrimin e saj si palë në procesin e dëmshpërblimit. Sopotasit kërkojnë dëmshpërblim prej 12 mijë denarëve për një dit të vuajtur në burg.

Alsat mëson se Gjykata Supreme ka caktuar vlerë të përgjithshme për rastet e dëmshpërblimit nga 3-6 mijë denarë për një dit burg. Vlera e ofruar nuk është përcaktuar ekskluzivisht për rastin Sopoti por për të gjitha rastet gjyqësore ndaj shtetit. Në rast se Qeveria dhe Sopotasit arrijnë marrëveshje për dëmshpërblim, procesi gjyqësor merr fund në seancën e parë.