Në interes të Maqedonisë së Veriut është që të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë, gjithsesi vlen edhe e kundërta. Këtë e diktojnë kushtet gjeopolitike në rajon dhe ky duhet të përfaqësojë qëllim të përbashkët të të dyja vendeve, tha ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias në intervistën për gazetën “Realnjuz”.
Siç informon korrespondentja e MIA-s nga Athina, shefi i diplomacisë greke edhe një herë e shpreh mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të vendit tonë, nën, siç thotë, kushtet e vendosura dhe shton se shpreson në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në.
“Por, kriter themelor për arritjen e këtij qëllimi është respektimi i dispozitave dhe frymës së Marrëveshjes së Prespës dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Se në vetë marrëveshjen ekzistojnë pika problematike, dihet, ndërsa Demokracia e Re, atëherë si opozitë, me kohë e shprehu kundërshtimin e saj për nenet konkrete. Por, Marrëveshja e Prespës është në fuqi dhe duhet të zbatohet në mënyrë të drejtë. Edhe pse janë bërë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim, megjithatë ekziston shumë hapësirë për përmirësimin si nga entitetet publike, ashtu edhe nga entitetet private”, tha Dendias,
Ai shtoi se nuk duhet të jepen deklarata të gabuara “të cilat shkaktojnë reagime emotive te populli grek”, sepse deklaratat e tilla “nuk ndihmojnë në përmirësimin e klimës në marrëdhëniet bilaterale dhe me siguri nuk e përforcojnë perspektivën evropiane të vendit”.