Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk duan të flasin për kërkesën e liderit partiak Kristijan Mickoski, që të heqin dorë nga paratë shtetërore që i takojnë partisë së tij për fushatë në referendum, me qëllim që ato mjete të ridestinohen për rindërtimin e gjimnazit të Tetovës.
Deputetja Daniela Rangelova refuzoi ta komentojë thirrjen publike të Mickoskit. Ajo nuk deshi të flas as për atë pse partia më e madhe opozitare akoma nuk ka qëndrim përfundimtar për pjesëmarrje në referendum. Derisa deputeti Pavle Bogoevski thotë se VMRO-DPMNE nuk ka qëndrim unik dhe punon në dëm të qytetarëve.
VMRO-DPMNe kishte 12 vite kohë që t’i rindërtojë shkollat në Maqedoni, por nuk e bëri atë. Në buxhet janë siguruar mjete për rindërtim të shkollave, ndër të tjera edhe ajo që është theksuar do të rinovohet. Dhe në fund të ditës, nëse Mickoski dhe VMRO-DPMNE vërtetë duan arsim më të mirë për të rinjtë, atëherë do të duan që ta shohin Maqedoninë në BE”- tha Pavle Bogoevski – deputet i pavarur në Kuvendin e RM-së.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi dha një afat i cili skadon nesër që grupet e deputetëve të prononcohen nëse do të marrin pjesë në fushatë dhe nëse do të jenë Për, Kundër apo do ta bojkotojnë referendumin. Tani për tani nga BDI e kanë informuar se do të marrin pjesë në fushatën pozitive për referendumin. Edhe nga Besa e Kasamit thonë se janë Për referendum, por ende nuk kanë vendosur se si do ta udhëheqin fushatën.
Për fushatën e referendumit Qeveria transferoi 1.3 milion euro në llogari të posaçme të Kuvendit. Të drejtën e atyre parave kanë të gjithë deputetët pavarësisht nëse do të mbajnë fushatë Për, Kundër ose do të bojkotojnë referendumin. Paratë nuk do të marrin personalisht, por Kuvendi do të paguaj hapësirë mediatike. Tani për tani vetëm deputeti Antonio Miloshovski kërkoi para për të mbajtur fushatë individuale për bojkot të referendumit, vendim për të cilin nga partia e tij amë thonë se është vetëm qëndrim i tij personal.