Deputetët edhe sot debatojnë për emërimin e Kacarskës

Deputetët sot për të tretën ditë me radhë do të debatojnë për propozimin që Dobrilla Kacarska të zgjedhet gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese.

Marketing

Mbrëmë, seanca plenare ishte ndërprerë pak para orës 18, ndërsa kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi e caktoi vazhdimin e seancës për sot në orën 12.

Dy ditët e kaluara kaluan në akuza të ndërsjella të pushtetit dhe opozitës. Opozita vlerëson se Kacarska nuk është propozim adekuat për gjykatës kushtetues dhe këtë pozicion e merr si shpërblim për dëgjueshmërinë ndaj pushtetit. Deputetët e opozitës kërkuan që propozimi të tërhiqet.

Gjatë debatit të sotëm deputetët e partive në pushtet, e kanë mbrojtur propozimin e tillë duke e nënvizuar se VMRO-DPMNE më së paku ka të drejtë të flasë për gjyqësinë e pavarur pasi në kohë të qeverisjes së tyre, gjyqësia është sjellë në nivelin më të ulët të mundshëm.

Kacarskën për gjykatëse kushtetuese e propozoi Këshilli gjyqësor, në fund të shtatorit. Ajo duhet të vijë në vendin e gjykatësit Vlladimir Stojanovski, mandati i të cilit ka skaduar.

Në rend të ditës të seancës së 20-të janë ndryshimet e Ligjit për sigurinë private, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Regjistrin qendror, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për emetimin e bonove të Republikës së Maqedonisë së Veriut për denacionalizim, të gjitha në leximin e parë.

Në rend ditë janë edhe Propozim ligji për huazimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas Marrëveshjes për hua për financimin e projektit të efikasitetit energjetik në Sektorin publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Makpetrol SHA Shkup me marrëveshje, Propozim-ligj për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune dhe Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, të gjitha me procedurë të shkurtuar.