Deputetja britanike: Sulmuesit në veri, milici e mirëpajisur

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se Policia e Kosovës duhet ta garantojë sundimin e ligjit pa pasur kërcënime për dhunë, teksa ka komentuar vrasjen e një zyrtari policor në orët e hershme të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Marketing

“Situata nuk ka ende fund për shkak të këmbimeve të zjarrit në Manastirin e Banjskës. Pamjet fillestare sugjerojnë se sulmuesit janë milici e financuar dhe e pajisur mirë, përfshirë me pajisje të blinduara. Duhet të ketë llogaridhënie dhe ata duhet të përballen me drejtësinë. Të shpresojmë se nuk do ketë më të plagosur”, u shpreh ajo përmes një postimi në “X”.

Deputetja Kearns tha në fillim të muajit korrik se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, u shpreh se nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes britanike, ndërkaq autoritetet e Kosovës nisë atëherë hetimet./ REL