Para përcaktimit të pozicionit të unionit CDU/CSU ende i pavendosur lidhur me hapjen e negociatave BE-Shqipëri, vjen një vlerësim pozitiv nga deputetja socialdemokrate gjermane, Nezahat Baradari. Në një deklaratë për “DW”, ajo e vlerëson si hap të rëndësishëm hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Të dyja vendet kanë bërë përpjekje të mëdha për reforma dhe me këtë i kanë përmbushur kushtet për fillimin e negociatave. Për vazhdimin e kësaj dinamike të reformave negociatat e anëtarësimit do të ishin një motor vendimtar.”
Sipas deputetes Baradari, Bundestagu duhet të hapë përfundimisht rrugën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.
“Me kushtet paraprake të formulurara për Shqipërinë dhe fokusimin në kapitujt e shtetit ligjor në negociatat e pranimit, do duhet të jenë mënjanuar të gjitha pengesat që i zinin rrugën miratimit.”
Partia Socialdemokrate Gjermane e mbështeti edhe në qershor hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kurse unioni CDU/CSU pritet që këtë javën të merret intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave.