Në seancën e sotme të Komisionit për Punë Sociale, Rini dhe Demografi, kryetarja e këtij Komisioni Imerlije Saliu, njëherit deputete nga radhët e Alternativës dhe Koalicionit VLEN nuk ka pranuar që të futet në rend dite propozim ligji për “Branitellat” nga ana e deputetit të LSDMS-së,
Oliver Spasovski. Me këtë rast, Oliver Spasovski ka paralajmëruar se do ta padis deputeten për pengimin e vendosjes në rend dite të Ligjit për “Branitellat”. Menjëherë pas paralajmërimit për padi, ka ardhur edhe reagimi i deputetes Saliu, e cila ka ndarë me opinionin datën 14 mars që përkon me krismat e para të UCK-së në Kalanë e Tetovës. “ Çfarëdo qoftë veprimi i LSDM ndaj meje individualisht, nuk është aspak problem përballë kauzave kombëtare siç është rregullimi i statusit të pjesëtarëve të UÇK, qofshin padi penale ose çfarëdo që u vjen atyre në mend.
Nervozizmi i tyre është i dukshëm sepse sot realisht u ngeci propozim ligji i Branitellave.
E gjithë kjo ndodhi sot, ku sipas dispozitave të Rregullores e ngarkuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, udhëhoqa
me mbledhjen e Komisionit për Punë Sociale, Rini e Demografi. Arsyeja e kësaj ishte që, në mungesë të kryetarit të komisionit, ta zhbllokojmë Ligjin e pensioneve, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kategorinë më të nderuar të qytetarëve tanë.
E prirë nga ky detyrim, e pranova këtë detyrë dhe e kreva konform Rregullores, duke mos lejuar që opozita ta sabotojë interesin e
pensionistëve, por edhe duke e pamundësuar dikush nga kjo opozitë e çoroditur ta kthejë temën e “Branitellave”, ku ata mendojnë se e kanë
shpëtimin e vetëm, por që derisa jemi ne aty, nuk kalon. Vazhdojmë me konsistencë, përkushtim e përgjegjësi. ps: 14 Mars 24 vite më parë në krismat e para në kalanë e Tetovës dikush dha jetën që NE të jemi sot këtu!”, ka shkruar Saliu.