Policia e Tiranës ka bërë publike planin e masave për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit që do të zhvillohet ditën e dielë në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”.
Sipas policisë do të ketë bllokim ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara, për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.
Njoftimi:
Policia e Tiranes bën me dije se, ka marrë masa për garantimin e rendit publik dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve “KF Tirana” dhe “Partizani”, që do të zhvillohet më datë 01.12.2024, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara, për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.
Në orën 14:00 do të bëhet spostimi i automjeteve përreth stadiumit, ndërsa bllokomi i rrugëve do të bëhet në orën 17:00. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
▪️Lëvizja e tifozëve të KF “Tirana” do të bëhet:
Selvia – Teatri Kombëtar i Operas- sheshi “Skënderbej” – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Ura e Ish- hotel Dajtit – kthim në rrugën “Bajram Curri”, – Etc – rruga “Papa Gjon Pali II” – Coin – Stadium.
▪️Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet:
Kryqezimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja” – përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha” – rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” – pas Presidencës – sheshi “Frederik Shopen” – përpara shkallëve të Universitetit të Tiranës – stadium.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj), dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Personat të cilët e kanë të ndaluar hyrjen në objektet dhe mjediset sportive, detyrohen të paraqiten fizikisht në komisariatet policore përkatëse, në ditën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë sportive, në zbatim të ligjit nr. 79/2017, “Për Sportin”, i ndryshuar me ligjin nr. 105/2020, dhe moszbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj, përbën shkelje të tij.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument), pavarësisht se mund të jenë të pajisur me bileta.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.