Deri në fund të vitit çmime më të lira roamingu me Kosovën e Shqipërinë (VIDEO)

Deri në fund të shtatorit, qeveria do të udhëzojë operatorët e telekomunikacionit t’i ulin çmimet e shërbimeve të roamingut me Greqinë. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski është optimist se deri në fund të vitit do të mundësohen çmime më të ulëta të thirrjeve ndërkombëtare, mesazheve SMS dhe përdorimit të internetit me Kosovën dhe Shqipërinë. Vendi ka marrëveshje të tilla me Serbinë, Malin e Zi dhe BeH. Mançevski thotë se duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët jo vetëm shtetet, por edhe organet rregullatore dhe operatorët të cilët, sipas ministrit, do të kenë një kërkesë shumë më të lartë për shërbimet jashtë vendit. Ministri frikësohet vetëm nga pengesat e mundshme politike.

Marketing

Deri në samitin digjital në Shkup, Shqipëri dhe Kosovë nuk treguan shenja të gatishmërisë dhe interes për t’u bashkuar. Tashmë në Samitin Digjital për herë të parë ata e thanë atë publikisht dhe kemi hyrë në një proces të përfshirjes së të tyre në këtë marrëveshje. Në këtë punë na ndihmon edhe Komisioni Evropian, ku është përfshirë drejtpërdrejt edhe euro-komisarja Maria Gabriel. Tani për të qenë i sinqertë ka pak probleme politike, si do të nënshkruhet kjo ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës- paralajmëroi Damjan Mançevski – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Kompanitë në sektorin e telekomunikacionit pas miratimit të këtyre marrëveshjeve nuk do të punojnë me humbje, por mund të kenë përfitime të reduktuara, thotë për Alsat M Drejtori i AKE, Sasho Dimitrioski. Rregullatori i tregut të telekomunikacioneve në vend thotë se arsyeja pse Shqipëria dhe Kosova ende kanë tarifa të shtrenjta për telefoninë dhe internetin në roaming është presioni i fortë dhe mos lëshimi pe nga fitimi aktual i operatorëve në këto vende.

Janë ftuar edhe shtete tjera si Shqipëria dhe Kosova, por me siguri vet shtetet nuk kanë arritur që t’u bëjnë ballë presioneve të operatorëve që çdoherë duan të mbrojnë interesin e tyre të biznesit- tha Sasho Dimitrioski- drejtor i AKE-së.
Alsat M kërkoi qëndrim edhe nga operatorët e vendit, ONE, VIP dhe Telekom, nëse do të pranojnë t’i ulin çmimet e roamingut me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën. Nga kompania “Telekom” deri në këtë edicion të lajmeve, përgjigje nuk morëm.

Deri në këtë moment, ONE VIP SHPKNJ- Shkup, nuk ka informacion zyrtar çfarë do të përmbajë marrëveshja në fjalë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, dhe pa analizë s’mund të japim përgjigje konkrete- thonë nga ONE VIP.
Një prej pikave të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është pikërisht ulja e çmimeve të roamingut, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Para katër viteve, vendi ishte nismëtar që të bëhet marrëveshje për roaming më të lirë mes vendeve të fqinjësisë. Një minutë bisedë nga Maqedonia në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, me të cilët kemi marrëveshje është 13 denarë ndërsa për thirrje në drejtim të kundërt mbi tre denarë. Një mesazh kushton më pak se 5 denarë ndërsa një megabajt internet kushton rreth 40 denarë. Për krahasim, me Bullgarinë çmimet e këtyre shërbimeve janë më të larta për disa herë.ALSAT-M

Marketing