“Deri në fund të vitit, gati 2km e parë të rrugës Shkup-Bllacë”, Rustemi premton se autostrada është kah fundi

Dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë dalëngadalë kanë nisur të marrin formë. Siç shihet në pamje, një pjesë tashmë ka nisur të asfaltohet.

Marketing

“Shumë premtime dhe afate për përfundimin e rrugës Shkup-Bllacë, mirëpo siç po shihni nga pamje ende nuk kanë përfunduar 2 km e para, ndonëse drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi për TV21 kishte premtuar se në pranverë të këtij viti këto 2 km do të duhej të përfundonin”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.

Rustemi thotë se vonesat në rrugën Shkup-Bllacë i kanë shkaktuar problemet në projektimin e autostradës. Ai premton se deri në fund të vitit do të mund të udhëtojmë nëpër autostradën e re.

“Këto dy kilometrat do të lëshohen. Njëra pjesë do të jetë në shfrytëzim e sipër pasi njëra pjesë duhet të lidhet komplet me 10 kilometërshin tjetër. Kështu që deri në fund të vitit edhe rruga magjistrale edhe 2 kilometërshi do të jenë në funksion, që do të lidhemi deri në kufi”, pohoi Ejup Rrustemi – drejtor i N.P.“Erugët Shtetërore”.

Problem tjetër në rrugën Shkup-Bllacë është edhe semafori i vendosur në hyrje të tunelit, i cili shkakton pritje të gjata dhe kolona. E shpesh herë shoferët që nuk kanë durim kalojnë në semafor të kuq, duke rrezikuar jetën e të tjerëve. Por ky semafor do të hiqet shpejt edhe atë në fillim të nëntorit, kur është paraparë të përfundojnë punimet tha Drejtori i rrugëve shtetërore.

“Tuneli kishte 50 vjet që nuk ishte rehabilituar dhe ndamë mjete shtesë për ta rehabilituar atë tunel, duheshe të puroheshe edhe në lëvizjen e automjeteve. Dmth në njërën anë të tunelit të punuheshe, ndërsa në anën tjetër të kemi lëvizje të auto mjeteve. Ajo kërkon kohë më të gjatë për ta rehabilituar”, tha Ejup Rrustemi – drejtor i N.P.“Erugët Shtetërore”.

Rustemi për TV21 gjithashtu tha se deri në fund të vitit do të përfundojë edhe rikonstruimi i rrugës së vjetër Shkup – Bllacë. Përndryshe ndërtimi i kësaj autostrade është vonuar disa vite.